Krishtlindje nuk është vetëm një datë

Para dymijë vjetëve ndodhi mrekullia, qielli dhe toka u takuan, afruan dhe bashkuan nëpërmjet Jezu Krishtit, Zotit të vëretë dhe të dashur, i cili bëhet Njeri – Vëllau ynë, për të qenë dhe mbetur gjithnjë Shëlbuesi ynë, për mbarë njerëzimin.

Përse e bëri këtë dhe si ndodhi kjo?

Për t’ia treguar dhe dhuruar çdo njeriut paqen, pajtimin, dashurinë dhe pavdekësinë.

“E paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë”, këndonin engjujt para barinjve.

Kush janë njerëzit vullnetmirë?

Të gjithë ata që për çdo ditë mendojnë, flasin dhe veprojnë mirë, e megjithatë nuk janë mirë, sepse i mundon dhe i brengos urrejtja, lufta, padrejtësia, robëria e së keqes, tash edhe terrorizmi, pasiguria, kërcënimi, rrezikimi, dhe çka është edhe më zi, nuk dinë si të dalin nga ky “hark i mbyllur” i së keqes, nga kjo gjendje e mjerueshme. E tërë historia e njerëzimit ka pasur njerëz të tillë, vërtet të mirë, të ndershëm, flijues, dhurues, mirëpo gjendja shpesh nuk është ndërruar dhe përmirësuar, bile ndonjë herë na duket se është keqësuar.

Pajtimi, çka është dhe si mund të arrihet?

Pajtimi është paqja e brendshme e çdo njeriut, së pari me Zotin, pastaj me vetveten, dhe së fundi me të tjerët, me të gjithë. Pajtimi i trefishtë nuk arrihet me fuqitë tona njerëzore, me vullnet apo vendime të mira, me të tjerët, pa qenë të pajtuar me Zotin dhe me vetveten, brendinë dhe ndërgjegjen tonë. Ky lloj pajtimi është dhurata e Zotit nëpërmjet Jezu Krishtit. Shumë njerëz edhe sot mundohet dhe veprojnë vetëm për pajtimet ndërnjerëzore, ndërfamiljare, ndëretnike, ndërshtetërore, ndërkombëtare, duke e lënë anash pajtimin e brendshëm dhe të mirëfilltë me Zotin dhe me vetveten, kuptohet, pa ndonjë sukses afatgjatë dhe pajtim të vërtetë.

Kush është burimi dhe siguria e paqes këtu dhe në amshim?

Vetëm Zoti, ndërhyrja e tij në historinë e njerëzimit dhe të çdo njeriut. Ai, edhe pse është Krijuesi ynë, si para Virgjërës Mari, kërkon pëlqim tonë, nderon lirinë, pret zgjimin e përgjegjësisë, nuk ndërhyn pa ne. Ai është misteri i Lirisë, Ofertës, Përgjegjësisë, Dashurisë, Amshimit

Ta shqyrtojmë pak ngjarjen e lajmërimit të Virgjërës Mari. Ajo, pas bisedimit, diskutimit, pyetjeve dhe dyshimeve me engjëllin Gabriel, erdhi te përgjigja e jetës, zemrës, fesë, dashurisë: “Unë jam shërbëtorja e Zotit: Më ndodhtë siç the ti!” (Lk 1, 38).

Kështu Zoti ofron dhe vepron me çdo njeri, mundëson, propozon, pret përgjigjen tonë. Ajo nuk është më fryt mendjeje, arsyeje, kuptimi, por vepër feje dhe dashurie. Për Virgjërën Mari mund të themi kështu: Ajo gjithçka pranoi, edhe se nuk kuptoi, sepse besoi dhe dashuroi.

Kjo është jeta e krishterë, bashkëpunimi me Zotin dhe me të afërmin, me bashkësinë e krishterë, që siguron paqe dhe pajtim të plotë dhe afatgjatë. Kjo paqe dhe ky pajtim janë fryt i dashurisë së Zotit, i cili për krijesën e vet më të çmuar, njeriun, bëhet poashtu Njeri, që atë disa ta bënte “hyjni” duke ia kthyer dinjitetin dhe lirinë burimore, por diçka edhe shumë më të madhe, bijësinë e Zotit dhe vëllazërinë gjithënjerëzore.

Nëpërmjet paqes, pajtimit, dashurisë arrihet pavdekësia – amshimi, jeta e pasosur, caku kryesor për të cilin Zoti e ka krijuar njeriun, që të jetë dhe të mbetë partner i Tij, bashkëkrijues dhe bashkëshëlbues.

Ja, pra, si ne misterin e mishërimit të Zotit na zbulohet dhe dhurohet misteri i njeriut sipas planit të tij, rikuperohet e tërë historia, duke mos lejuar që njeriu dhe njerëzimi të jetë më i robëruar, copëtuar, pamundësuar, pre e përhershme e Djallit, mëkatit dhe vdekjes.

Kërshëndellat na mundësojnë dhe dhurojnë edhe ne mundësinë që të jemi Krishtbartës, Krishtdhurues, Krishtdëshmues, Krishtlindës, si Maria dikur, si Kisha, si të krishterët gjatë shekujve, si Shën Nëna Tereze, 38 Martirët Shqiptarë, si jemi të ftuar dhe të dërguar edhe ne, tani dhe këtu, kudo që jetojmë dhe veprojmë, tani dhe në amshim.



Krishtlindje nuk është vetëm një datë


Është Krishtlindje çdo herë

kur i buzëqesh vëllait

dhe e merr për dore.


Është Krishtlindje çdo herë

kur je në heshtje

për ta dëgjuar të afërmin.


Është Krishlindje çdo herë

kur nuk i pranon ato parime

që i robërojnë të ndrydhurit

në skajet e shoqërisë.


Është Krishtlindje çdo herë

që shpreson me ata që s’kanë shpresë

në varfërinë fizike dhe shpirtërore.


Është Krishtlindje çdo herë

kur praon me përvujtëri

kufinjtë dhe dobësitë tua.


Është Krishtlindje çdo herë

kur ia mundëson Zotit që të rilind te ti

për ta dhuruar të tjerëve.


(Shën Nëna Tereze)

Jezu Krisht

Etiketa:

Post a Comment

[facebook][blogger]

Admin

{picture#https://scontent-vie1-1.xx.fbcdn.net/v/t1.0-9/14359236_1311192535566654_7486697118374711833_n.jpg?oh=7837338f1d1fce54a5708305dca14065&oe=5930DB07} Qëllimi i kësaj faqeje është që ti bashkoj të gjith shqiptaret këtu "të lutemi se bashku" P.S Si gjdo gjë në ket botë as ne nuk jemi përfekt, për gjdo ankes & sugjerim ju lutem na shkruani Mesazh {facebook#http://facebook.com/perjezusin} {instagram#http://instagram.com/} {google#http://google.com/} {youtube#http://youtube.com/}

Forma e Kontaktit

Name

Email *

Message *

Powered by Blogger.