LUTJE BIBLIKE

Bibla, Shkrimi i Shenjtë ose, quajtur ndryshe, Libri i Librave është një përmbledhje e shkrimeve, të cilat Kisha i ka pranuar solemnisht si të frymëzuara nga Hyji. Emri Bibël nxirret nga shprehja greke biblia (rrotull shkrimesh, libra). Bibla u shfaq në shekujt e parë të krishterimit dhe shënon tërësinë e Shkrimit të Shenjtë të të krishterëve. Në këta libra të Biblës vetë Ati qiellor vjen në takim me krijesat e veta në dashuri dhe hyn në bisedë me ta. Bibla, fjala e Hyjit, “është e gjallë dhe vepruese” (Heb 4, 12). Bibla, thotë Shën Pali, “është e aftë t’ju edukojë e t’ju japë trashëgimin ndër të gjithë të shenjtëruarit” (Vep 20, 32). Kisha e pranon Hyjin si kryeautor të Biblës, e cila përmban shkrimet e ndikuara dhe shpirtëzuara nga Shpirti Shenjt. Si Shkrim i frymëzuar prej Hyjit, Bibla na mëson të vërtetën pa gabime, e cila është e nevojshme për shëlbimin e njerëzve. Krishterimi nuk është religjion që bazohet në libër (religjion libri), por religjion i Fjalës së Hyjit – sipas Shën Bernardit nga Klervo: “jo i një fjale të shkruar memece, por i Fjalës së mishëruar, i Fjalës së gjallë (Jezu Krishtit). “Kisha gjithmonë e ka nderuar Shkrimin e Shenjtë njësoj sikur e nderon Korpin e Zotërisë, meqë, veçanërisht në liturgjinë e shenjtë, ajo pa pushim merr dhe u ofron besimtarëve bukën e jetës prej tryezës edhe të fjalës së Hyjit, edhe të Korpit të Krishtit… Prandaj, sikur vetë feja e krishterë, gjithë shpallja e Kishës duhet të ushqehet dhe të drejtohet nga Shkrimi i Shenjtë” (Dei Verbum 21). Bibla përmban përshkrimin e prejardhjes së rruzullimit e të njerëzimit, ndeshtrashat e historisë së popullit të Izraelit. Bibla ka shumë libra. Ndër librat biblike vend të konsiderueshëm dhe të veçantë zë libri i psalmeve. Ky libër i përket Besëlidhjes së Vjetër dhe përmban 150 psalme, domethënë lutje, këngë dhe poezi. Ky libër edhe sot e kësaj dite lutet nga judenjtë dhe të krishterët dhe shërben si gurrë frymëzimi i poetëve dhe muzikantëve. Vetë fjala psalm, greqisht plasmos, do të thotë: këngë ose himn lavdërimi. Libri sipas traditës thirret psalter. Libri i psalmeve është libër këngësh i judenjve dhe i të krishterëve të parë. Sot psalmet janë në përdorim liturgjik në sinagogat judaike, në Lutjen e Orëve në Kishën katolike, ortodokse dhe anglikane, në këngët gregoriane dhe rregullisht në liturgjinë hyrëse si lutje e përbashkët ose responziale në kishën protestante. Psalmet ngërthejnë në vete lavdërime dhe falënderime Hyjit, pendim, pikëllime dhe ankesa. Shprehin gëzim, ngushëllim dhe mirëbesim në Hyjin. Përmbajnë këngë shtegtimesh, poezi edukuese dhe lutje për fitore kundrejt kundërshtarëve. Në përzgjedhjen tonë kemi renditur psalmet përmes të cilave do të kundrojmë thellë Hyjin dhe të cilat do të na nxisin në përditshmërinë tonë të gjunjëzohemi para atij që është i denjë për çdo nderim. Mëngjeset e përditshmërisë sonë t’i fillojmë me recitimin ose këndimin e psalmeve. Mbrëmjet tona dhe kohën para vajtjes në gjumin e natës t’i çojmë në të sosur me tingullin e psalmeve të cilat shekuj me radhë i dëgjoi Hyji nga jehu i njeriut.
Psalmi 4

Kur të të thërras në ndihmë, më dëgjo, o Hyj, drejtësia ime!
Ti që më shpëtove në vështirësi:
ki mëshirë për mua e ma dëgjo lutjen!

Deri kur, o njerëz, do të jeni zemërgurë?
Përse e doni kotësinë e ndiqni gënjeshtrën?
Dijeni: Zoti bën mrekulli për shenjtin e vet,
Zoti më dëgjon kur unë e thërras në ndihmë.

Zemërohuni e mos mëkatoni,
përsiatni në zemrat tuaja,
në shtrojat tuaja e qetësohuni.
Flijoni fli drejtësie
e shpresën kijeni në Zotin!

Shumë thonë: “Kush do të na bëjë ta shohim fatbardhësinë”?
Le të ndritë mbi ne, o Zot, drita e fytyrës sate!
Ti ndikove në zemrën time më shumë gëzim
sesa kur të tjerëve u bëhet grurë e verë me shumicë!

Posa bie në shtrojë
gjumi menjëherë më merr në qetësi,
sepse vetëm ti, o Zot, ma jep pushimin e qetë.

Psalmi 8

O Zot, Zoti ynë,
sa i mrekullueshëm është Emri yt mbi mbarë dheun!
Me madhëri e tejkalon edhe qiellin!

Prej gojës së ferishteve e të foshnjave
lavdinë e bëre gati kundër armiqve
që t’i bësh të heshtin armiq e kryengritës.

Kur e sodis qiellin – veprën e gishtave të tu,
hënën e yjet që ti i vendose,

çka është atëherë njeriu që ta kujtosh,
biri i Adamit që të përkujdesesh për të?
E pra, e bëre pak më të vogël se engjëjt,
e kurorëzove me lavdi e shkëlqim,
i dhe pushtet mbi veprat e duarve të tua.
Gjithçka vure nën këmbët e tija:
delet e kafshët të gjitha,
për më tepër edhe egërsirat e fushës,
shpendët e ajrit dhe peshqit e detit,
të gjitha që përshkojnë udhët e detit!

O Zot, Zoti ynë,
sa i mrekullueshëm është Emri yt mbi mbarë dheun!

Psalmi 16

Më ruaj, o Hyj, sepse të kam rënë ndore!

I thashë Zotit: “Ti je Zoti im,
tjetër të mirë nuk kam veç teje”!
Për shenjtërit që janë përmbi tokë, njerëz bujarë,
po përvëlohem krejtësisht prej dëshirës!
I shumojnë të zezat e veta
ata që shkojnë pas zotave të huaj.

Unë nuk do t’u flijoj fli njomjeje gjakrash,
buzët e mia nuk do t’ua përmendin emrat.
Zoti është pjesa e trashëgimit tim dhe gota,
në dorën tënde është fati im!
Shorti më ra në më të mirën tokë:
pjesa e trashëgimit tim më pëlqen shumë!
E bekoj Zotin që më dha kuptim,
edhe natën veshkat e mia më mësojnë.
Zotin e kam gjithmonë para sysh,
më rri në të djathtë, nuk kam sesi të rrëzohem!

Prandaj galdon zemra ime, gëzon shpirti im,
mbarë trupi im pushon në qetësi.
S’do të ma lësh shpirtin në Nëntokë,
as s’do të lejosh që Shenjti yt të kalbet në dhe.
Ti do të ma tregosh udhën e jetës,
gëzimin e plotë para fytyrës sate,
kënaqjen e amshueshme në të djathtën tënde.

Psalmi 23

Zoti është bariu im,
asgjë nuk më mungon.

Më pushon kullotave të gjelbra,
më prin në ujëra të qeta,
shpirtin ma përtërin.
Ai më prin shtigjeve të drejta
në saje të dashurisë së Emrit të vet.

Po edhe në kalofsha nëpër luginën e hijes së vdekjes,
s’trembem nga e keqja
sepse ti je me mua:
thupra jote dhe kërraba
për mua janë ngushëllim.

Ti ma shtron tryezën përpara
ndër sy të armiqve të mi,
me vaj erëmirë kokën ma lyen,
gotën ma mbush plot e përplot.

Hiri dhe mirësia do të më përcjellin
në të gjitha ditët e jetës sime,
do të banoj në shtëpinë e Zotit
derisa të jem gjallë.

Psalmi 24

E Zotit është toka dhe gjithçka ajo ka,
rruzulli mbarë e të gjithë banorët e tij.
Ai vetë e themeloi mbi dete,
dhe e bëri të qëndrueshme mbi lumenj.

Kush do të ngjitet mbi malin e Zotit
e kush do të qëndrojë në vendin e tij të shenjtë?
Ai që duart i ka të pafajshme e zemrën të pastër,
ai që nuk e drejtoi shpirtin e vet në kotësi,
ai që nuk betohet në gënjeshtër.

Ky do ta marrë bekimin prej Zotit,
shfajësimin e Hyjit, Shëlbuesit të vet.
E tillë është breznia e atyre që kërkojnë Zotin,
e atyre që kërkojnë fytyrën e Hyjit të Jakobit.

“Lartësoni, o dyer, ballnikët tuaj!
Lartësohuni, o dyer të amshueshme,
që të hyjë Mbreti i lavdisë”!

Kush është ky Mbreti i lavdisë?
Zoti, i Forti, Ngadhënjyesi!
Zoti, Ngadhënjyes në luftë!

Lartësoni, o dyer, ballnikët tuaj,
lartësohuni, o dyer të amshueshme,
që të hyjë Mbreti i lavdisë!

“E kush është ky Mbreti i lavdisë?
Ai, Zoti i Ushtrive,
ai vetë është Mbreti i lavdisë”!

Psalmi 27

Zoti është drita ime dhe shpëtimi im,
kë do të kem frikë?
Zoti është mbrojtësi i jetës sime,
para kujt do të dridhem?

Kur më sulen keqbërësit
për të më ngrënë gjallë,
kundërshtarëve të mi e armiqve të mi,
ora u liget dhe rrëzohen.

Le të çohet, në dashtë, edhe një ushtri e tërë
kundër meje: zemra nuk më trembet,
le të shpërthejë, në dashtë, edhe lufta kundër meje;
edhe atëherë jam plot shpresë.

Për një gjë të vetme i lutem Zotit,
vetëm atë ia kërkoj
që të jetoj në Shtëpinë e Zotit
të gjitha ditët e jetës sime,
që ta shijoj kënaqësinë e Zotit
e ta vërej Shtëpinë e Zotit.

Zoti më fsheh në tendën e vet
në ditë të vështirë,
më strehon në vend të fshehtë të tendës së vet,
më ngre lart mbi qetë.

E tani e lartësoj kokën
mbi armiqtë e mi që më rrethojnë,
në tendën e tij do të kushtoj fli gëzimi,
do t’i këndoj Zotit këngë hareje.
Dëgjoje, o Zot, zërin e britmës sime,
ki mëshirë për mua dhe më dëgjo!
Për ty tha zemra ime: “Kërkojeni fytyrën time”!
“Fytyrën tënde, o Zot, do ta kërkoj”.

Mos e fsheh fytyrën tënde prej meje,
mos e dëbo me zemërim shërbëtorin tënd!
Ti je ndihmëtari im, mos më përbuz,
mos hiq dorë prej meje, Hyji i shpëtimit tim!

Im atë e nëna ime hoqën dorë prej meje,
por Zoti më mori ndore.

Ma trego, o Zot, udhën tënde
dhe më drejto shtegut të drejtë
për shkak të armiqve të mi!

Mos më lësho në pamëshirën e kundërshtarëve të mi,
sepse u ngritën kundër meje dëshmitarë të rremë,
të cilët shfryjnë dhunë.

Besoj se do t’i shijoj të mirat e Zotit
në tokën e të gjallëve.

Shpreso në Zotin: bëhu burrë!
Ji zemërfortë e prite Zotin!

Psalmi 42, 1–6

Sikurse dreri i dëshiron
burimet e ujërave të gjalla,
po ashtu shpirti im
të dëshiron ty, o Hyj!

Shpirti im ka etje për Hyjin,
për Hyjin e gjallë:
oh, e kur do të shkoj
e do të dal para fytyrës së Hyjit?!

Lotët e mi janë buka ime ditë e natë,
ndërsa më thonë për çdo ditë:
“Ku është Hyji yt?”

Mallëngjehet shpirti im
kur më bie ndërmend
si shtegtoja në krye të turmës,
– si prijës – drejt banesës së Hyjit
me brohori e këngë lavdi
në procesion kremtues!

Përse, o shpirti im, lëngon në trishtim?
Përse gjëmon në mua?
Shpreso në Hyjin, prapë do ta lëvdoj,
Shëlbuesin tim, Hyjin tim.

Psalmi 46

Hyji është për ne strehim dhe fuqi,
ndihmë gjithherë e gatshme në çdo vështirësi.
Prandaj as s’do të trembemi edhe nëse lëkundet toka
dhe nëse malet do të kapërdihen nga deti!
Le të gjëmojnë e le të përzihen ujërat e tija,
le të dridhen malet në furinë e tij!

Rrëketë e lumit do ta gëzojnë qytetin e Hyjit,
tendat e shenjta të të Lartit Zot.
Hyji është brenda nuk do të tronditet askurrë,
Hyji i ndihmon herët në agim.
Ulëritën popujt, ranë mbretëritë,
bubulloi Zoti, toka u shkri!

Zoti i Ushtrive është me ne,
strehimi ynë, Hyji i Jakobit!
Ejani e shikoni veprat e Zotit
– mrekullitë që i bëri ai përmbi dhe!
Ndalon luftërat deri në skajet e tokës,
do t’i thyejë harqet, do t’i copëtojë armët,
mburojat në zjarr do t’i djegë.

Ndaluni e shihni se unë jam Hyji,
i madhërueshëm mbi popuj, i madhërueshëm mbi tokë!
Me ne është Zoti, Hyji i Ushtrive,
strehimi ynë, Hyji i Jakobit.

Psalmi 63

O Hyj, Hyji im je ti, që në agim të kërkoj.
Ka etje për ty shpirti im,
ty të dëshiron trupi im,
si toka e shkretë, e thatë, e paujë,
kështu erdha në Shenjtëroren tënde
për ta parë fuqinë tënde e lavdinë tënde.
Sepse më e mirë është dashuria jote se jeta:
buzët e mia do të të lavdërojnë.

Kështu do të të bekoj në jetën time
e në Emrin tënd do t’i lartësoj duart e mia,
do të ngihem si në gosti të shkëlqyeshme,
me buzë të hareshme do të të lavdërojë goja ime.

Ty do të të kujtoj edhe në shtratin tim,
në përgim natën do të mendoj për ty,
sepse ti je bërë ndihma ime,
prandaj do të brohoris nën hijen e krahëve të tu!

Shpirti im u mbështet në ty,
e djathta jote më merr për dore.
E ata që kërkojnë të ma marrin shpirtin,
do të zbresin në thellësitë e dheut,
do të bien nën pushtetin e shpatës,
do të bëhen pre e çakejve.

Mbreti do të gëzojë në Hyjin,
do të galdojnë të gjithë ata që përbehen në të,
kurse rrenacakëve do t’u mbyllet goja.

Psalmi 67

Hyji pastë mëshirë për ne e na bekoftë,
bëftë të ndriçojë fytyra e tij mbi ne,
që në tokë të njihet udha e tij,
në të gjitha kombet shpëtimi i tij.

Të dhënçin lavdi mbarë popujt, o Hyj,
mbarë popujt e botës ty të lavdërofshin!

Le të galdojnë e le brohorisin popujt,
sepse popujt i gjykon me drejtësi,
sepse kombet mbi tokë ti i sundon.

Të lavdërofshin mbarë popujt, o Hyj,
mbarë popujt e botës ty të lavdërofshin!

Toka e dha frytin e vet:
na bekoftë Hyji, Hyji ynë!
Na bekoftë Hyji!
Frikë e paçin mbarë skajet e botës!

Psalmi 84

Sa të dashura janë banesat e tua,
o Zoti i rruzullimit!
Shpirti im shkrihet e meket
për pallatet e Zotit.
Zemra ime e trupi im
i brohoritin Hyjit të gjallë.

Edhe trumcaku e gjen bunin e vet
edhe turtulli çerdhen e vet
ku i vë zogjtë e vet:
e unë lterët e tu, o Zoti i ushtrive,
Mbreti im e Hyji im!

Lum ata që banojnë në shtëpinë tënde:
do të të lavdërojnë për amshim.

Lum ai që në ty gjen forcën
dhe vendos për shtegtim të shenjtë.

Kur kalojnë nëpër luginën e thatë
e shndërrojnë në burim uji të gjallë,
sepse shiu i mëngjesit e vesh me bekime.

Shtegtojnë e shtegtojnë gjithnjë e më të kërthndeztë
derisa të shohin Hyjin e hyjnive në Sion.

O Zot, Hyji i ushtrive, dëgjo lutjen time,
më vështro, o Hyji i Jakobit.
Shiko, o Hyj, Mbrojtësi ynë,
shikoje fytyrën e të shuguruarit tënd!

Vërtet, më e mirë është një ditë në Shtëpinë tënde
se të tjera me mijëra!
Parapëlqej të qëndroj te pragu i Shtëpisë së Hyjit tim,
më tepër se të banoj në tendat e mëkatarëve.

Sepse diell e shqyt është Zoti Hyj,
ai dhuron hirin e nderin.
Zoti nuk ua mohon të mirat atyre
që jetojnë të pafajshëm.

O Zot Sabaot, lum njeriu që shpreson në ty!
Psalmi 88

O Zot, Hyji i shpëtimit tim,
ditë e natë jap kushtrim para teje.
Le të mbërrijë te ti lutja ime,
vëru vesh dënesave të mia.

Sepse shpirti im është plot me vuajtje,
jeta ime është në grykën e varrit;
po më mbajnë me ata që zbresin në gropë,
jam porsi ai për të cilin s’ka më ndihmë:

i lirë si ata që vdiqën,
porsi të vrarët që pushojnë në varre,
të cilët ti më nuk i kujton,
që janë shkëputur nga dora jote.

Më plandose në shpellë pa fund,
në errësirë e në hijen e vdekjes.
Zemërimi yt rëndon mbi mua,
valët e tua i hodhe mbi mua.

Prej meje i largove të njohurit e mi,
për ta më bëre të jem i neveritshëm,
jam i mbyllur, jashtë s’mund të dal,
prej mjerimit sytë e mi po shteren.

Gjithë ditën në ndihmë të thërras, o Zot,
duart e mia drejt teje i shtrij.
Vallë për të vdekur bën ti mrekulli?
A thua hijet ngrihen për të lëvduar?

Flet ndokush për mirësinë tënde në varr,
për besën tënde në vendin e shkatërrimit?
Në errësirë njihen mrekullitë e tua,
në vend të harresës drejtësia jote?

E unë, o Zot, prej teje kërkoj ndihmë,
lutja ime në mëngjes mbërrin para teje.
Pse, o Zot, e përbuz shpirtin tim?
Përse fytyrën tënde e fsheh para meje?

I mjerë jam dhe vdes që prej fëmijërisë sime,
më këputi barra e tmerrimeve të tua.

Përmbi mua kaluan hidhërimet e tua,
përdhe më shtruan provat e tua!
Më kanë rrethuar pa pushim si uji,
grumbullohen mbi mua njëheresh.
M’i largove miq e të afërm,
bëj shoqëri veç me errësirën.

Psalmi 90

O Zot, ti u bëre strehimi ynë
nga breznia në brezni.

Para se të lindnin malet,
para se të bëhej toka dhe rruzulli,
prej amshimit të amshimit ti je Hyj!

Ti e kthen njeriun në pluhur
duke thënë: “Kthehuni, bijtë e Adamit!”
Sepse mijëra vjet për sy të tu
janë si dita e djeshme që kaloi,
porsi ndërresa e rojës së natës!

Ti i zhduk në gjasim të gjumit
që në mëngjes kalon si bari;
lulëzon në mëngjes edhe gjelbëron,
në mbrëmje korret edhe vyshket!

Sepse na shkatërroi zemërimi yt,
na tmerroi furia e zemërimit tënd.
Para vetes i vure fajet tona,
të fshehtat tona në dritë të fytyrës sate.

Ditët na shkuan në hidhërimin tënd,
si një ofshamë mbaruan vitet tona.
Jeta jonë zgjat shtatëdhjetë vjet,
po qemë të shëndoshë edhe tetëdhjetë,
por shumica me mundim e dhembje,
kalojnë shpejt e ne prej këndej përkasim.

Kush ia di fuqinë zemërimit tënd,
zemërimin tënd siç e kërkon frika jote?

Na mëso ashtu t’i numërojmë ditët tona
që zemra jonë dijes t’ia mbërrijë.

Kthehu, o Zot! Deri kur kështu?
Deh, ki mëshirë për shërbëtorët e tu!

Na e trego në mëngjes mëshirën tënde
e do të gëzohemi e do të galdojmë
të gjitha ditët e jetës sonë.
Gëzona për ditët që na mundove,
për vitet që i kaluam në mjerim.

Vepra jote të shfaqet në shërbëtorë të tu,
shkëlqimi yt mbi bijtë e tyre!

Rëntë mbi ne mirësia e Zotit, Hyjit tonë,
bëj të shkojë mbarë vepra e duarve tona,
të përparojë vepra e duarve tona.

Psalmi 103

Bekoje, shpirti im Zotin,
dhe krejt qenia ime Emrin e tij të shenjtë.
Bekoje, shpirti im Zotin,
e mos i harro bamirësitë e tija.
Ai i fal të gjitha fajësitë e tua,
Ai i shëron të gjitha sëmundjet e tua;
Ai ta shpëton jetën prej varrit,
ai të kurorëzon me mirësi e dashuri,
me të mira t’i mbush vitet e tua:
do të përtërihet si shqiponjës rinia jote.

Zoti bën veç vepra të mira,
u jep të drejtën atyre që pësojnë padrejtësi.
Synimet e veta ia zbuloi Moisiut,
bijve të Izraelit veprat e veta.

Zoti është i mirë e i mëshirshëm,
i ngadalshëm në zemërim e shumë i dashur.
Nuk zemërohet gjithherë
as s’e mban hidhërimin për jetë të jetës.

Nuk sillet me ne sipas mëkateve tona
as nuk na shpaguan sipas të këqijave tona.

Sepse sa është lartësia e qiellit mbi tokë,
aq e madhe është mëshira e tij ndaj atyre që i druajnë.
Sa është lindja larg perëndimit
aq larg i hedh prej nesh fajet tona.

Sikurse baba ka dhimbje për fëmijët e vet,
ashtu Zoti ka dhimbje për ata që e druajnë.

Sepse mirë e di si jemi të përbërë,
s’e harron se ne jemi pluhur.
Njeriu! Ditët e tija janë porsi bari:
porsi lulja e fushës lulëzon,
sa e prek era e më s’është,
më s’e kujton as vendi i vet.

Vetëm dashuria e Zotit është prej amshimit
e në amshim mbi ata që e druajnë
dhe drejtësia e tij mbi bijtë e njerëzve,
mbi ata që e mbajnë besëlidhjen e tij
dhe i kujtojnë urdhërimet e tij për t’i zbatuar.

Zoti e forcoi fronin e vet në qiell,
mbretëria e tij mbizotëron të gjithë.
Bekojeni Zotin, të gjithë engjëjt e tij,
ju të fortët nga fuqia, që kryeni urdhrat e tij,
duke i dëgjuar urdhrat e tij.
Bekojeni Zotin, të gjitha ushtritë e tija,
shërbëtorët e tij që zbatoni vullnetin e tij.

Bekojeni Zotin, të gjitha veprat e Zotit,
në çdo vend të sundimit të tij!

Shpirti im, bekoje Zotin!
Psalmi 130

Prej humnerës klitha tek ti, o Zot,
o Zot, dëgjoje britmën time!
Le ta dëgjojnë veshët e tu,
zërin e lutjes sime.

Nëse do t’i mbash mend paudhësitë, o Zot,
O Zot, e kush do të qëndrojë para teje?
Por tek ti gjendet falja
që të dimë të të druajmë.

Shpresoj në ty, o Zot,
shpirti im shpreson në premtimin e tij.
E pret shpirti im Zotin
më tepër se rojtarët agimin.

Më tepër se rojtarët agimin
le të shpresojë Izraeli në Zotin,
sepse te Zoti është mëshira
dhe i madh është tek Ai shpërblimi.
Ai do ta nxjerrë Izraelin
prej të gjitha paudhësive të tija.

Psalmi 134

Tani bekojeni Zotin
të gjithë ju, shërbëtorët e Zotit,
që qëndroni natën në Shtëpinë e Zotit.

Ngritni duart tuaja drejt Shenjtërores
e bekojeni Zotin!

Prej Sionit të bekoftë Zoti
që krijoi qiellin e tokën!

Psalmi 139, 1–18

O Zot, ti më shqyrton e më njeh,
ti di kur rri e kur ngrihem,
prej së largu i njeh mendimet e mia.
Si në shtegtoj si në pushoj, ti më vëren,
ti i di të gjitha udhët e mia.
Pa më ardhur ende fjala në majë të gjuhës,
dhe, ja, ti, o Zot, i njeh të gjitha!

Përpara e pas ti, o Zot, më rrethon,
ti e ke vënë mbi mua dorën tënde.
E mrekullueshme është dija jote për mua,
tepër e lartë, s’jam në gjendje t’ia arrij.

Ku mund të shkoj larg prej shpirtit tënd,
ku të iki larg prej pranisë sate?
Nëse ngjitem në qiell, ti atje je,
nëse zbres në Nëntokë, edhe aty je.
Po t’i marr krahët e agimit
e të shkoj të banoj në skajin e detit,
edhe atje dora jote do të më përcjellë
e do të më mbajë e djathta jote.

Në thënça: “Le të më mbulojë së paku errësira
edhe drita natë le të bëhet mbi mua!”,
por as terri s’është aspak terr për ty
edhe nata është si dritë e ndritshme
– për ty errësira është porsi drita!
Ti je ai që m’i krijove veshkat,
ti më ke endur në kraharorin e nënës!
Të lavdëroj pse më krijove kaq mrekullisht,
të mrekullueshme janë veprat e tua,
po, shpirti im mirë e di!

Eshtrat e mi nuk të mbetën të fshehur
kur unë po trajtohesha në fshehtësi
i endur në thellësinë e tokës.
Ende të patrajtuar më panë sytë e tu, në librin tënd ishin të shkruara të gjitha ditët:
ishin të numëruara megjithëse asnjë s’ishte ende prej tyre.

Tepër të çmueshme janë për mua, o Hyj, mendimet e tua,
e panumërueshme është shuma e tyre!
Po t’i numëroja, janë më shumë se rëra!
Po t’iu dilja në skaj, më mbeteshe prapë ti!

Psalmi 150

Aleluja!

Lavdërojeni Hyjin në Shenjtëroren e tij,
madhërojeni në hapësirën e kupës qiellore!
Lavdërojeni për veprat e madhërueshme të tija,
lavdërojeni për madhërinë e madhe të tijën!

Lavdërojeni me zë të burisë,
lavdërojeni me harpë e me citarë,
lavdërojeni me tupan e valle,
lavdërojeni me korda e me fyej!
Lavdërojeni me cimbale tingëlluese,
lavdërojeni me cimbale brohorie!

Gjithçka që merr frymë le ta lavdërojë Zotin!

Aleluja!

Post a Comment

[facebook][blogger]

Admin

{picture#https://scontent-vie1-1.xx.fbcdn.net/v/t1.0-9/14359236_1311192535566654_7486697118374711833_n.jpg?oh=7837338f1d1fce54a5708305dca14065&oe=5930DB07} Qëllimi i kësaj faqeje është që ti bashkoj të gjith shqiptaret këtu "të lutemi se bashku" P.S Si gjdo gjë në ket botë as ne nuk jemi përfekt, për gjdo ankes & sugjerim ju lutem na shkruani Mesazh {facebook#http://facebook.com/perjezusin} {instagram#http://instagram.com/} {google#http://google.com/} {youtube#http://youtube.com/}

Forma e Kontaktit

Name

Email *

Message *

Powered by Blogger.