MËSIME THEMELORE TË FESË

Gjashtë të vërtetat kryesore të fesë së krishterë

1. Është vetëm një Zot, e në të janë tri veta hyjnore: Ati, Biri dhe Shpirti Shenjt.
2. Zoti krijoi të gjitha sendet. Ai të gjitha i mban, i sundon dhe i drejton.
3. Shpirti i njeriut është i pavdekshëm.
4. Biri i Zotit u bë njeri dhe na shëlboi me vdekjen e vet në kryq.
5. Hiri i Zotit është i domosdoshëm për shëlbim.
6. Veprat e mira Zoti do t’i shpërblejë me lumturinë e amshuar, ndërsa veprat e këqija do t’i dënojë me mundimin e amshuar.

Mësimet e fesë i jep Kisha. Kisha katolike obligon pjesëtarët e vet, të pagëzuarit, që të besojnë në këto gjashtë të vërteta dhe në të gjitha mësimet e tjera dogmatike dhe morale që sjell magjisteri. Kishën e themeloi vetë Jezu Krishti. Ajo ndjek traditën apostolike të mësimit. Si bashkësi e popullit në shtegtim kah amshimi përpiqet të jetojë në drejtësi para Hyjit në luftim me mëkatin e trashëguar. Kisha tashmë është edhe ngadhënjyese, sepse ka në qiell engjëjt dhe shenjtërit. Kishë jonë është një në bashkësi me apostujt, Virgjërën Mari dhe Shpirtin Shenjt. Është e shenjtë jo në saje të besimtarëve që nuk mund të mëkatojnë, por në saje të detyrës që ia dha Krishti dhe drejtimit të Shpirtit Shenjt. Është katolike, sepse detyra e saj shtrihet në tërë botën dhe Ungjilli është i përcaktuar për të gjithë njerëzimin. Kisha është apostolike, sepse e ka themelin në apostuj. Ata na e lanë trashëgim fenë dhe sakramentet. Kisha është misionare. Ka për detyrë ta shpallë Ungjillin për kthimin dhe besimin në Hyjin dhe të ndajë sakramentet. Esenca e Kishës është shpallja e fjalës së Hyjit (martyria), kremtimi i sakramenteve (liturgjia), shërbimi në dashuri (diakonia). “Kisha është familja e Hyjit në botë“ (Papa Benedikti XVI, Deus Caritas Est, nr. 25).

Themelet e fesë së shenjtë

1. Njënia e Trinia e Hyjit.
2. Të mishëruarit, të munduarit, vdekja dhe të ngjallurit e Shëlbuesit tonë, Jezu Krishtit.

Njënia do të thotë së është një Zot i vetëm. Trinia do të thotë se në Hyjin janë tri Veta hyjnore, që quhen: Ati, Biri e Shpirti Shenjt. Të Mishëruarit, të munduarit, vdekja e ngjallja e Shëlbuesit tonë do të thotë se Veta e dytë e së Shenjtërueshmes Trini, Jezu Krishti, Biri i Hyjit, u bë njeri, u mundua, vdiq në kryq dhe u ngjall për ne. Fshehtësia thelbësore e fesë dhe e jetës së krishterë është Trinia e shenjtë. Hyji është njëkohësisht një Hyj, që iu shfaq popullit judeas. Ai është një qenie në tri veta, të cilat janë në të njëjtën kohë Hyj: e Atit, e Birit dhe e Shpirtit Shenjt. Biri, i njëlindur në kohë, jo i krijuar. Shpirti i Shenjtë (“Shpirti i Hyjit”) rrjedh prej Atit dhe Birit. Me këtë dogmë të Kishës u mor Koncili i parë i Nicesë në vitin 325 nën drejtimin e mbretit Konstantin.

Urdhri i dyfishtë i dashurisë

1. Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë shpirt, me gjithë zemër e me gjithë mendje tënde.
2. Duaje të afërmin tënd si vetveten.

Shkrimi i Shenjtë i Besëlidhjes së Vjetër njeh 248 urdhra dhe 365 ndalesa. Prej këtij katalogu të trashëguar rrjedhin edhe shumë të tjera të cilat u dhanë nga mësuesit e Ligjit. Jezusi, i pyetur një ditë për t’u sprovuar prej farisenjve, se cili është urdhri më i madh i të gjitha urdhërimeve, u përgjigj: “Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë shpirt, me gjithë zemër e me gjithë mendje tënde dhe duaje të afërmin tënd si vetveten” (Mt 22, 37–40). Urdhri i dyfishtë i dashurisë është veçori e krishterimit. “Krishterimi në kuptimin e plotë nuk mund të jetë pa dashurinë ndaj Zotit dhe të afërmit”, thotë një shpjegim i traditës së ekzegjezës ungjillore.

Rregulla e artë

Gjithçka, pritni prej të tjerëve, bëni edhe ju për ata.

Jezusi kishte qëllim të thadrojë dashurinë dhe respektin në zemrat e njerëzve ndaj njëri-tjetrit. Prandaj i mësonte dhe i qortonte njerëzit: Mos gjykoni; mos e shikoni lëmishten në sy të vëllezër28 ve tuaj; mos e përbuzni të shenjtën (krhs. Mt 7, 1–6). “Gjithçka dëshironi t’ju bëjnë juve njerëzit, bëjuani edhe ju atyre! Ja, vërtet Ligji e Profetët!” (Mt 7, 12).

Lumturitë

Lum skamnorët në shpirt
sepse e tyre është Mbretëria e qiejve!

Lum ata që qajnë
sepse do të ngushëllohen!

Lum ata që janë të butë
sepse do ta trashëgojnë tokën!

Lum ata që kanë uri e etje për drejtësi
sepse do të ngihen!

Lum të mëshirshmit
sepse do të gjejnë mëshirë!

Lum ata që janë të pastër në zemër
sepse do ta shohin Hyjin.

Lum pajtuesit
sepse do të quhen bijtë e Hyjit.

Lum ata që salvohen pse kryejnë çka Hyji kërkon
sepse e tyre është Mbretëria e qiejve.

Të lumët ju kur t’ju shajnë e t’ju salvojnë dhe kur,
për shkakun tim, t’i thonë të gjitha të zezat kundër jush, por në rrenë!

Gëzohuni e galdoni,
sepse i madh do të jetë shpërblimi juaj në qiell!

I lumtur është njeriu që ka fituar shëlbimin, parakusht i të cilit është besimi (krhs. Mt 16, 17; Lk 11, 28), qëndresa në fe (krhs. Jak 1, 12) dhe të qenët syhapët para ardhjes së Zotërisë (krhs. Lk 12, 37). Lumturitë janë emërtim i një pjese të Predikimit në Mal të Jezusit. Ato janë një radhitje prej 8 + 1 herë ”Lum” me të cilat Jezusi hap në mënyrë programore Predikimin në Mal. Lumturitë e Jezusit janë rruga e vërtetë kah lumturia. Lumturitë na bëjnë me dije se të gjithë që në sytë e botës shikohen si të pavlerë dhe të pagëzueshëm janë të lumtur në perspektivën e Mbretërisë qiellore.

Urdhërimet e Hyjit

Hyji thotë:
1. Unë jam Hyji yt. Tjetër Hyj mos të kesh e mos të adhurosh – pos meje!
2. Mos e merr emrin e Hyjit nëpër gojë kot!
3. Shenjtëroje ditën e diel e ditën e festës së urdhëruar!
4. Nderoje prindin tënd në qoftë se dëshiron të jetosh shumë përmbi tokë!
5. Mos vra!
6. Mos kurvëro!
7. Mos vidh!
8. Mos bëj dëshmi të rreme!
9. Mos lakmo njeriun e huaj për të keq!
10. Mos lakmo asgjë të huajën!

Dhjetë Urdhërimet, ose Dekalogu, janë përmbledhje ligjesh të cilat u shfaqën që nga Besëlidhja e Vjetër si vullnet i Hyjit për njerëzit. Me to filloi shfaqja e Hyjit në malin Sinai (Dal 20, 1–17, krhs. edhe Lp 5, 6–21). Këtë renditje të Dekalogut të marrë nga Bibla e bëri Shën Augustini. Dhjetë Urdhërimet janë themel i moralit të krishterë. Zoti kërkon prej nesh që të besojmë se është një Zot i vetëm, atë të vetmin duhet ta duam, sepse Ai është Gurra dhe Caku ynë. Ai kërkon prej nesh që të kemi frikë nderimi ndaj Tij, ndaj fshehtësisë së pafund të Hyjit, dhe kurdoherë që marrim emrin e Tij nëpër gojë të flasim çka i përket atij. Ai kërkon të marrim pjesë me pushimin tonë në pushimin e tij pas Krijimit dhe përmes të kremteve tona ta falënderojmë për krijesat dhe hirin e shëlbimit, ashtu siç na mëson Kisha të bëjmë të dielave. Ai kërkon të jemi të ndërgjegjshëm dhe të dëgjueshëm ndaj familjes, atdheut, shoqërisë dhe Kishës. Kërkon prej nesh ta duam jetën tonë dhe jetën e tjetrit, sepse trupi dhe shpirti janë dhurata hyjnore që na i besoi neve. Kërkon që të jemi të dëlirë në gjini që i përkasin dhe ta ruajmë të dëlirë dashurinë në jetën bashkëshortore. Kërkon ta respektojmë pasurinë dhe plëngun e tjetrit dhe të jemi të ndërgjegjshëm me atë të mirë që na përket neve dhe tjetrit pranë nesh. Na detyron që të jemi të përgjegjshëm ndaj punës dhe të vetëdijshëm në përdorimin e të mirave materiale Kërkon që të zbatojmë gjithmonë të vërtetën dhe saktësinë në të folur dhe në të vepruar, që ta ndërtojmë jetën tonë jo në rrena, shtiracakësi dhe shpifje, por në të vërtetën, dhe të jetojmë në paqe me të tjerët.

Urdhërimet e Kishës së shenjtë

1. Merr pjesë në Meshë çdo të diel e çdo festë të urdhëruar!
2. Agjëro të premteve dhe kohëve të caktuara sipas ligjit kishtar!
3. Rrëfehu dhe kungohu së paku një herë në vit, sidomos për Pashkë!
4. Mos bëj dasmë në kohë të ndaluara!
5. Paguaje detyrimin ndaj Kishës sipas ligjit!

Kisha Katolike është bashkësia e atyre që besojnë në Krishtin. Kishën e ka themeluar vetë Jezu Krishti. “Edhe unë po të them: Ti je Pjetër‑Shkëmb dhe mbi këtë shkëmb unë do ta ndërtoj Kishën time dhe dyert e ferrit s’do të ngadhënjejnë kundër saj!” (Mt 16, 18). Kisha e bazon mësimin e vet në Bibël dhe në traditën apostolike. Kisha është institucion, i cili jetën e vet e mbështet në sakramente, që janë shenjë të shenjta dhe gurrë e shëlbimit. Kisha e mbështet gjallimin e vet edhe në autoritetin formal-juridik të Papës, që është zëvendësi i Shën Pjetrit në tokë. Kisha gjatë shekujve gjithmonë ka dhënë rregulla dhe ligje për anëtarët e vet, të cilët i anëtarëson me anë të pagëzimit. Përpos Dekalogut Kisha ka edhe pesë urdhra të veçanta. Kërkon të shkojmë rregullisht të dielave dhe ditëve të kremte në Meshë, në të cilën përkujtojmë Ringjalljen e Krishtit dhe e takojmë atë në Eukaristinë e tejetshenjtë. Kërkon prej nesh të bëjmë ninesë dhe të agjërojmë për të përkujtuar tërë veprën shëlbimtare të Jezusit për ne. Nga mosha 18-vjeçare e deri në moshën 60-vjeçare detyrohemi të mbajmë dhe të agjërojmë të Mërkurën e të Përhimurit, të Premten e Shenjtë dhe në tërë kohën e Kreshmëve. Po në këtë kohë na urdhëron të heqim dorë nga ahengjet dhe dasmat. Porosit sakramentin e rrëfimit, i cili na liron nga mëkati dhe na fal rishtazi pafajësinë përmes zgjidhjes së mbarështuesve të vet, meshtarëve, dhe forcon ndërgjegjen tonë. Më pastaj, duke e marrë denjësisht kungimin, marrim vet Krishtin në trajtën e bukës dhe të verës. Kisha si familje e madhe shtegtare kah amshimi ka nevojë për të mirat materiale, të cilat i bashkon nga besimtarët.

Sakramentet

1. Pagëzimi
2. Përforcimi (krezmimi)
3. Kungimi
4. Rrëfimi
5. Vajimi
6. Urdhri i shenjtë
7. Kurora e martesës

Sakramentet i ka themeluar Jezu Krishti sipas vullnetit të vet të lirë dhe janë shenja të shenjta të hirit, të cilat veprojnë atë që shënojnë. Secilit sakrament i përket së pari themelimi nga vetë Jezu Krishti, së dyti shenja e jashtme dhe së treti veprimi i brendshëm i hirit. Kisha numëron shtatë sakramente, të cilat bartin në vete hirin e shenjtërimit dhe të ndihmës. Hiri që marrim në sakramente është secila ajo dhuratë mbinatyrore, të cilën na e dhuron Hyji që të mbërrijmë jetën e pasosur. Pra, sakramentet, që të japin tërë këtë të mirë, duhet t’i marrim shpesh. Sakramentet, për të qenë të vlefshme kur i marrim, duhet të kenë materien (p.sh. në pagëzim, ujin), së dyti formën (në pagëzim, fjalët: “Unë po të pagëzoj në emër të Atit e të Birit dhe të Shpirtit Shenjt”) dhe ai që ndan sakramentin të ketë qëllimin të bëjë atë që bën Kisha. Sakramentet i ndan vetë Krishti përmes dërgimit dhe autorizimit në shugurim që ua bën ipeshkvijve, meshtarëve dhe diakonëve. Në rast nevoje pagëzimin mund ta ndajë çdo njëri që ka qëllim sakramentin. Sakramentet mund t’i marrin vetëm të gjallët dhe ata në fill të vdekjes, për të cilët mendohet që ende nuk kanë dhënë shpirt. Përmes sakramenteve marrim dhuratat e Shpirtit Shenjt (në krezmim): urtinë, kuptimin, këshillin, forcën, dijen, përshpirtërinë, druajtjen e Hyjit. Eukaristia e shenjtë na mundëson të marrim vetë Jezu Krishtin nën trajtën e bukës dhe të verës si ushqim dhe pije shpirtërore – Korpin dhe Gjakun e tij, Shpirtin dhe Hyjninë e tij. Këtë sakrament e themeloi Krishti në Darkën e Mbrame me apostujt kur u tha: “Bëni këtë në përkujtimin tim” dhe i porosit që ta kremtojnë rregullisht në të ardhmen Eukaristinë (krhs. 1 Kor 11, 23–25). Rrëfimin e themeloi Krishti kur u tha apostujve: “Merrni Shpirtin Shenjt! Atyre që jua falni mëkatet, u falen, e atyre që nuk jua falni, nuk u falen” (Gjn 20, 22–23). Vajimi është shenjë e shpresës për të sëmurët tanë. Jezusi dinte për vuajtjen dhe të qenët të sëmurë. Ai i shëroi të sëmurët. Ai na dha dhuratë sakramentin e vajit të të sëmurëve. “Është ndokush ndër ju i sëmurë? Le t’i thërrasë udhëheqësit e Kishës! Ata le të luten mbi të duke e lyer me vaj në emër të Zotit dhe lutja e fesë do ta shpëtojë të sëmurin dhe Zoti do ta ripërtërijë e, në qoftë se ka bërë mëkate, do t’i falen. Rrëfejani mëkatet njëri-tjetrit dhe lutuni për njëri-tjetrin që të shëroheni!” (Jk 5,14–15). Krishti në Darkën e Mbrame themeloi edhe sakramentin e meshtarisë, që pasi të ketë marrë këtë rend, kandidati i përgatitur (i shkolluar dhe i sprovuar) do të ketë të drejtë t’i ndajë sakramentet. Ky sakrament ka tri shkallë: diakonatin, meshtarinë dhe shugurimin ipeshkvor. Sakramenti i shtatë është kurora e martesës. Sakrament në të cilin një djalë dhe një vajzë betohen para Krishtit për të jetuar deri në vdekje në dashuri dhe besnikëri, ashtu sikundër Krishti e do Kishën dhe qëndron besnik ndaj saj. Bashkëshortët marrim detyrim që t’i edukojnë dhe t’i rrisin fëmijët në frymën e krishterimit. Vetë çifti bashkëshortor që shkon në martesë është ndarës i këtij sakramenti. Meshtari përfaqëson Kishën.

Shtatë dhuratat e Shpirtit Shenjt

1. Urtia
2. Kuptimi
3. Këshilla
4. Forca
5. Dija
6. Përshpirtëria
7. Druajtja e Hyjit

Në Besëlidhjen e Vjetër Isaia profet i paralajmëron shtatë dhuratat e Shpirtit Shenjt si dhurata të mbretërisë mesianike: “Një pinjoll do të dalë nga trungu i Jeseut, një pip i zgjedhur do të piptojë nga rrënja e tij. Në të do të pushojë shpirti i Zotit, shpirti i urtisë e i dijes, shpirti i këshillave dhe i forcës, shpirti i kuptimit dhe i frikës së Zotit. (11, 1–2). Tradita e Kishës numëron shtatë dhurata të Shpirtit Shenjt të cilat i marrim në sakramentin e pagëzimit dhe të krezmimit. Vetë himni Veni, creator spiritus (Eja, Shpirt Shenjt) nga shekulli IX përmend shtatë. Kemi shumë nevojë për dhuratat e Shpirtit Shenjt: Që të mund të dallojmë të mirën dhe të keqen, na nevojitet urtia. Ne njerëzit mund ta kërkojmë dhe të gjejmë të vërtetën, sepse kemi forcën e kuptimit. Përmes dhuratës së këshillit vërejmë dhe dëgjojmë në zemrat tona çka Zoti na këshillon, që pasi të kemi kërkuar dhe gjetur të vërte35 tën, pasi të kemi vëzhguar dhe nuhatur në zemrat tona vullnetin e Hyji, të kemi forcën edhe të njëmendësimit të saj. Përmes dijes njohim Hyjin në gjithçka dhe mbi gjithçka. Përshpirtëria bën që ne të rrimë në komunikim me Hyjin dhe t’i mbështetemi atij. Frika apo druajtja e Hyjit na bën me dije se ai është i gjithëpushtetshëm dhe i gjithëmëshirshëm. Ose: dija: na ndihmon të mos e humbim marrëdhënien me Qiellin, që përmes saj ta lajmë dhe shpërlajmë në përsiatje krijimin. Kuptimi: Hyji na e besoi botën. Ai na fton të kërkojmë, që të mund të gjejmë dhe të mund të pyesim nga kemi ardhur dhe kah do të shkojmë. Këshilli: Sa vështirë është të vendosim; vetëm këshilli i mirë na shpëton në shumë situata. Urtia: Shkrimi i Shenjtë flet për urtinë si për motrën e Hyjit, e cila është përcjellëse që udhëheq kah jeta. Frika: Njeriu ka nevojë të shtanget para Madhërisë së Hyjit. Forca: Njeriu nuk është i parëndësishëm dhe i zhdukshëm në univers. Njeriu është shëmbëlltyrë e Hyjit të pafund, të gjithëpushtetshëm dhe të fortë. Kemi nevojë për forcën e Hyjit që ta ripërtërimë fytyrën e tokës. Shën Pali na shkruan: “Fryti i shpirtit është: dashuria, hareja, paqja, duresa, dashamirësia, mirësia, besnikëria, butësia, përkormëria” (Gal 5, 22).

Tri virtytet hyjnore

1. Feja
2. Shpresa
3. Dashuria

Virtytet e krishtera ose virtytet hyjnore janë mësimi themelor i krishterimit për lidhjen e njeriut me Hyjin. Pasja e tyre edhe rrit ndjesinë e vëllazërisë me njerëzit e tjerë. Kisha na mëson se ato i marrim në pagëzim. Për dallim nga Dhjetë Urdhërimet, ato nuk janë ligje apo norma veprimesh, por qëndrime të kërkuara dhe rregulla etike. Ato i përmend edhe vetë Shën Pali: “Tani, veç, mbetet feja, shpresa e dashuria – këto të tria – porse më e madhja ndër to është dashuria” (1 Kor 13,13; krhs. 1 Sel 1,3). Feja na e mban të gjallë shpresën në raste fatkeqësie dhe dëshpërimi, në raste fajesh dhe vetmie, në sëmundje dhe para vdekjes. Gëzimin, të cilin e themelojmë në shpresë, nuk mund të na marrë askush. Përmes kësaj shprese vyen të rritemi përmes durimit me vetveten dhe me të tjerët, përmes të qenit të zgjuar, përmes besnikërisë dhe durimit të vështirësive. Shpresa na jep guxim që të kapërcejmë edhe situatat e vështira të jetës. Feja, shpresa dhe dashuria na forcojnë dhe na shpirtëzojnë që ta duam jetën tonë dhe jetën e të tjerëve, që të bashkëpunojmë me të tjerët për zhvillim dhe për një shoqëri ku çmohet dhe respektohet dinjiteti i njeriut. Katekizmi i Kishës thotë: “Virtytet hyjnore janë themeli, shpirti dhe shenja dalluese e veprimit moral të të krishterit”.

Katër virtytet kryesore

1. Pjekuria (urtësia)
2. Drejtësia
3. Guximi
4. Përmbajtja

Pjekuria është dhuratë përmes së cilës ndajmë të mirën nga e keqja, bëhemi të vetëdijshëm për përgjegjësinë që mbajmë, dije për marrëdhëniet konkrete të sendeve me njëra-tjetrën dhe me tërësinë, aftësi për të udhëhequr jetën, për të gjetur gjykimin e duhur në situata të ndryshme, për të dhënë këshilla të mira dhe për të marrë vendimin e duhur. Drejtësia është gatishmëri e qëndrueshme e vullnetit tonë t’i japim dhe t’i lejojmë secilit atë që i përket, që është porosi e vetë Jezusit: “Lum ata që kanë uri e etje për drejtësi sepse do të ngihen!” (Mt 5, 6), kërkesë natyrore e pranuar edhe në Shkrimin e Shenjtë (Ur 5, 8), normë themelore e jetës së përbashkët. Guximi është qëndresë në vuajtje, kundërshtim i hidhërimeve, qëndresë në frikë para vdekjes, gatishmëri për të dhënë jetën, gatishmëri për të marrë mbi vete barrën e rrezikut për vlera të mëdha dhe flijim, gatishmëri e fortë e njeriut që me synimin e vet të moralit të mirë t’ia dalë në krye kundër vështirësive. Përmbajtja është vetëpërmbajtje në pije dhe ushqime, kontrollim i lakmive seksuale, përdorim i kontrolluar i të mirave materiale, vetëpërmbajtja në hidhërime, aftësi për të frenuar vetveten.

Veprat e mëshirshme të trupit

1. Jepi bukë të uriturit
2. Jepi ujë të eturit
3. Vishe të zhveshurin
4. Strehoje shtegtarinr /> 5. Vizitoje të sëmurin 6. Vizitoje të burgosurin
7. Varrose të vdekurin

Mëshira është veti e karakterit njerëzor. Njeriu i mëshirshëm hap zemrën e vet ndaj mjerimit të tjetrit. Mëshira është dashuri ndaj të afërmit, humanitet. Mëshira është përkrahje: “Kur fqinjët e farefisi i saj dëgjuan se Zoti e tregoi mirësinë e vet të madhe ndaj saj, u gëzuan me të” Lk 1,58). Vetë Jezusi përmes shëmbëlltyrës së Samaritanit të mirë kërkon të jemi të mëshirshëm (krhs. Lk 10,37), na mëson të ndajmë lëmoshë (krhs. Mt 6, 1–4), na urdhëron t’i përngjajmë Atit, i cili është Zoti i mirë e i mëshirshëm, i ngadalshëm në zemërim dhe shumë i dashur (krhs. Ps 103, 8): “Bëhuni edhe ju të mëshirshëm sikurse (edhe) Ati juaj është i mëshirshëm” (Lk 6, 36). Shprehja më e njohur e mëshirës përshkruhet te Mateu 25, 34–36, me të cilën Jezusi na tregon se duhet të bëjmë mirë pa pasë pritur shpërblimin: “Ejani të bekuarit e Atit tim! Merrni në pronë Mbretërinë që u bë gati për ju që prej fillimit të botës! Sepse pata uri e më dhatë të ha, pata etje e më dhatë të pi, isha shtegtar e më përbujtët, isha i zhveshur e më veshët, i sëmurë e erdhët të më shihni, isha në burg e erdhët tek unë”.

Veprat e mëshirshme të shpirtit

1. Këshilloji ata që dyshojnë
2. Mësoji të paditurit
3. Qortoji mëkatarët
4. Ngushëlloji ata që vuajnë
5. Fali fyerjet
6. Duroji ata që të mërzisin
7. Lute Hyjin për të gjallët e të vdekurit

Sa shumë kotësi mësimesh sillen vërdallë nesh dhe kanosin ndërgjegjen tonë, shtojnë dyshimet në të vërtetat e Hyjit përmes ofrimit të lakmive dhe kënaqësive të kësaj bote. Shumë njerëz jetojnë në padijeni të ndryshme dhe kanë nevojë për dijen e Ungjillit. Ata që veprojnë keq në afërsinë tonë nuk duhet t’i shpirtëzojmë, por përmes qortimeve të drejta t’i kthejmë në rrugën e fesë. Shkrimi i Shenjtë përmend dëshpërimin e njerëzve (Zan 37, 35) dhe aftësinë njerëzore për të ngushëlluar (Zan 24, 67). Ngushëllimi i vërtetë është feja. Ajo na nxeh në jetën e përbashkët: “Së bashku me ju dhe mes jush, edhe unë të nxehem në fenë që e kemi të përbashkët, tuajën e timen (Rom 1, 12); “Në mes të këtyre vështirësive dhe provave që kemi, gjetëm në ju ngushëllim në saje të fesë suaj (1 Sel 3, 7). Falja dhe durimi janë kërkesë e patjetërsueshme e Shkrimit të Shenjtë. Falja e njërit-tjetrit parakusht që edhe Hyji të na falë neve: “Na i fal mëkatet tona, sepse edhe ne i falim fajtorët tanë” (Lk 11, 4). Lutja jonë për të gjallët e për të vdekurit e shton hirin dhe, përmes hirit shtohet numri i atyre që do të shëlbohen në Krishtin.

Shtatë veset kryesore

1. Mendjemadhësia
2. Koprracia
3. Fëlligështia
4. Hidhërimi
5. Grykësia
6. Smira
7. Përtacia

“Mëkati është fjalë, vepër ose dëshirë në kundërshtim me ligjin hyjnor” (Shën Augustini). Mëkati fyen Hyjin. Mëkati është qëndrim që e kundërshton edhe arsyen. Duke mëkatuar lëndojmë natyrën e njeriut dhe cenojmë solidaritetin njerëzor. Mëkatet kryesore quhen ato mëkate të cilat përfshijnë në vete edhe të gjitha mëkatet e tjera dhe prej të cilave rrjedhin edhe të tjerat. Mëkatet kryesore nuk janë mëkate në kuptimin e vërtetë, por vese (teka, trille, huqe) kryesore, në të vërtetë rrënjët e mëkateve, zanafilla, të cilat krijojnë parakushtet për mëkate të tjera. Katalogun e tyre së pari e bëri teologu grek Evagri i Pontit (346–400) për ta vazhduar pastaj papa Gregori i Madh (540–604). Përsëritja e mëkateve, edhe e mëkateve të lehta, çon në vese. Kisha na mëson se kush vendos qëllimisht, domethënë, me vetëdije dhe dëshirë, për diçka që e kundërshton ligjin hyjnor dhe cakun e fundit të njeriut, bën mëkat mortar. Ky mëkat e rrënon në ne virtytin hyjnor të dashurisë, pa të cilin nuk mund të kemi lumturi të amshuar. Hyji e tregon mëshirën e vet kundrejt nesh dhe na i fal mëkatet. Vetë Jezusi erdhi në botën tonë që ta çlirojë popullin nga mëkatet (krhs. Mt 1, 21). Jezusi në Meshë kurdoherë na bën me dije: “Ky është gjaku im – gjaku i Besëlidhjes – që do të derdhet për të gjithë në shpërblim të mëkateve” (Mt 26, 28). Mjerimi më i madh është mëkati, sepse ky mjerim godet shpirtin tonë. Vetë Jezusi thotë: “Ç’dobi do të kishte njeriu, nëse fiton mbarë botën, por humb vetveten ose e rrënon?”(Lk 9, 25).

Shtatë virtytet dhe veset kryesore

1. Përvujtëria – e kundërshton mendjemadhësinë
2. Dorëdhënia – e kundërshton koprracinë
3. Pastërtia – e kundërshton fëlligështinë
4. Durimi – e kundërshton hidhërimin
5. Përkormëria – e kundërshton grykësinë
6. Dashuria – e kundërshton smirën
7. Zelli – e kundërshton përtacinë

Fjala virtyt nënkupton gjithë forcën dhe qëndrimin e brendshëm të njeriut që të anojë kah e mira dhe të veprojë mirë me lehtësi dhe gëzim. Përgjithësisht fjala virtyt nënkupton pasjen e një vetie pozitive. Virtyti është pjesë e rritjes sonë shpirtërore. Letra e Dytë e Shën Pjetrit 1, 5–8 na mëson: “Për këtë arsye përqendroni të gjitha forcat tuaja që t’ia shtoni fesë virtytin, virtytit dijen, dijes përkormërinë, përkormërisë qëndresën, qëndresës përshpirtërinë, përshpirtërisë dashurinë vëllazërore, dashurisë vëllazërore dashurinë që përfshin gjithkënd. Sepse këto cilësi, nëse i keni dhe nëse përparoni në to, nuk ju lënë të papunë as të pafrytë në njohjen e Zotit tonë Jezu Krishtit”.

Gjashtë mëkatet kundër Shpirtit Shenjt

1. Dëshpërimi për shëlbim
2. Shpresa e rreme se do të shëlbohemi pa merita
3. Kundërshtimi i së vërtetës së njohur
4. Smira për hire të të afërmit
5. Ngurrimi ndër mëkate
6. Mospendimi i fundit

Mëkati kundër Shpirtit Shenjt sipas pikëpamjes së krishterë është ai mëkat, me të cilin mohohet veprimi i Shpirtit Shenjt dhe lëvdohet forca e të Keqit. Ky koncept shfaqet në Besëlidhjen e Re. Shprehjen Mëkat kundër Shpirtit Shenjt e hasim në Besëlidhjen e Re te Ungjilli i Mateut 12, 22–23. Farisenjtë thoshin se Jezusi po dëbonte shpirtrat e këqij përmes forcës së Beelzebulit, prijësit të shpirtrave të këqij, dhe mohonin se kjo po ndodhte përmes Shpirtit Shenjt. Prandaj Jezusi u thoshte: “Çdo faj e blasfemi do t’u falet njerëzve, kurse blasfemia kundër Shpirtit Shenjt, nuk do të falet. E nëse ndokush thotë ndonjë fjalë kundër Birit të njeriut, mund t’i falet faji, por nëse ndokush thotë ndonjë gjësend kundër Shpirtit Shenjt, nuk do t’i falet as në këtë botë as në botën e ardhshme”. Sipas pikëpamjes së Kishës katolike pamundësia e faljes vlen vetëm atëherë kur njeriu këmbëngul në mëkat kundër Shpirtit Shenjt deri në vdekjen e vet.

Katër mëkatet që kërkojnë gjyq para Hyjit:

1. Vrasja qëllimisht
2. Mëkati i fëlligështisë kundër natyrës
3. Shfrytëzimi i të varfërve
4. Mashtrimi në pagën e punëtorit

Tradita e Kishës me mësimin e vet të katekizmit kujton edhe mëkatet që lëshojnë kushtrimin deri në qiell para Hyjit. Vrasja prej Gjakut të Abelit: ”Zëri i gjakut të vëllait tënd bërtet tek unë prej dheut” (Zan 4, 10). Mëkati kundër natyrës ose mëkati i sodomasve: “Ankimi kundër Sodomës e Gomorrës është i madh dhe mëkati i tyre është tepër i rëndë. Unë duhet të zbres e të shoh a po veprojnë njëmend ashtu si po arrin ankimi deri tek unë. Do ta di a po a jo” (Zan 18, 20); “Bij e bija, të gjithë të tutë, që janë në qytet, nxirri jashtë këtij vendi. Do ta shkatërrojmë këtë vend, sepse është i madh ankimi kundër tyre para Zotit, i cili na dërgoi ta shfarosim” (Zan 19, 13). Shfrytëzimi i të varfërve ose ankimi i popullit të shtypur në skllavërinë e Egjiptit: “E pashë mjerimin e popullit tim në Egjipt dhe e dëgjova klithjen e tij për ndihmë për shkak të pashpirtësisë së mbikëqyrësve të tyre” (Dal 3, 7). Mashtrimi: Përgjithësisht përfshin klithjen e të huajit (endacakut, të vejave dhe bonjakëve): “Mos ia moho shpërblimin nevojtarit e skamnorit qoftë ai prej vëllezërve të tu, qoftë edhe prej të ardhurve që banojnë me ty në tokën tënde brenda qyteteve të tua: po atë ditë, para se të perëndojë dielli, jepja pagën e mundit të tij, sepse është skamnor dhe ashtu i dëshiron zemra e tij. Sepse përndryshe ai do të bërtasë drejt Zotit kundër teje: ky do të jetë për ty mëkat” (Lp 24, 14–15); “Ja! Paga që u hëngrët punëtorëve që u korrën arat, bërtet dhe – ofshama e korrëtarëve arriti në veshët e Zotërisë së Ushtrive!” (Jak 5, 4).

Gjërat e fundit të njeriut

1. Vdekja
2. Gjyqi
3. Ferri
4. Parajsa

Vdekja është mbarimi i jetës tokësore. Njerëzimi që nga zanafilla është i vetëdijshëm për vdekshmërinë e vet dhe e përjeton atë. “Kujtoje Krijuesin tënd në ditët e rinisë sate … para se të këputet litari i argjendtë e të copëtohet kandili i artë, të thyhet katrova në krua, të copëtohet qostra përmbi cisternë e të kthehet pluhuri në tokën e vet nga erdhi e shpirti të kthehet tek Hyji që e dha” (Ksh 12,1. 6–7). Sipas mësimit të krishterë në botën e njerëzve vdekja erdhi bashkë me mëkatin e Adamit. Mirëpo, përmes Krishtit vdekja mori një kuptim pozitiv. “Për mua Krishti është jetë dhe vdekja fitesë” (Fil 1, 21), “E vërtetë është kjo fjalë: Nëse ne vdiqëm bashkë me Të, bashkë me Të edhe do të jetojmë” (2 Tim 2, 11). Pas vdekjes secilin njeri e pret gjyqi personal, për secilin veçmas; shpesh thirret edhe gjyq i veçantë. Shkrimi i Shenjtë na bën të ditur se njeriut i është përcaktuar vetëm një herë vdekja: “Njerëzve u duhet një herë të vdesin – e pastaj vjen gjyqi” (Heb 9, 27). Shën Gjoni i Kryqit thotë: “Në mbrëmjen e jetës sonë do të gjykohemi sipas dashurisë sonë”. Purgatori është gjendje pas vdekjes në të cilën vijnë disa prej të cilëve që do ta mbërrijnë shëlbimin e amshuar në Qiell, por u duhet edhe një shndritje që të hyjnë plotësisht në lumturinë e amshuar. Besimtarët në tokë mund të luten për shpirtrat në purgator që të mund të përshpejtohet pastrimi. Nevojitet pastrimi, sepse në Qiell s’mund të hyjë asgjë e papastër dhe të qëndrojë si e tillë para pranisë së Hyjit (krhs. Zb 21, 27). Pos gjyqit personal njerëzimin e pret edhe Gjyqi i fundit. Ferri është ndarje e përgjithmonshme prej Hyjit. Mundësia e ferrit mund të kuptohet vetëm në kontekstin e lirisë së njeriut. Bibla na flet rishtazi për mundësinë e ferrit. Derisa Jezusi qortonte njerëzit për padrejtësi përmendi: “Shlliga e gjarpërinj gjarpërinjsh! Si do t’i shpëtoni dënimit për ferr” (Mt 23, 33); “Këta do të shkojnë në mundim të përjetshëm, kurse të drejtët në jetën e pasosur” (Mt 25, 46). Shën Pali flet për ferrin si për dënimin e pasosur larg nga fytyra e Zotit dhe nga lavdia e madhërisë së tij (krhs. 2 Sel 1, 9). Parajsa nuk është vend (hapësirë) i madhësisë fizike, por madhësi eskatologjike. Parajsa është njëmendësim personal: bashkësi e përhershme me Hyjin. Sipas mësimit të Kishës ata që vdesin në hirin dhe miqësinë e Hyjit dhe që janë krejtësisht të shndritur do të jetojnë përgjithmonë me Krishtin dhe do ta shohin Hyjin ashtu siç është (krhs. 1 Gjn 3, 2), do ta shohin faqe‑faqas (1 Kor 13, 12). Të fitosh parajsën do të thotë të jetosh bashkë me Krishtin (krhs. Gjn 14, 3). Vetë Jezusi na flet për parajsën, por duke e përshkruar si “Mbretëri të qiellit” dhe “Mbretëri të Hyjit”: “Do të vijnë nga lindja e nga perëndimi, nga veriu e nga jugu dhe do të ulen në tryezë në Mbretërinë e Hyjit” (Lk 13, 29). Parajsa përshkruhet nga Jezusi si bashkim i njerëzve me Hyjin, si dasmë, si tërësi gëzimi (krhs. Mt 22, 1–3; 25, 13; Zb19, 7–9). Parajsa është “lavdi”, (Lk 24, 26), “lumturi” (Mt 5, 8) dhe “shikim i Hyjit” (Zb 22, 4).

Post a Comment

[facebook][blogger]

Admin

{picture#https://scontent-vie1-1.xx.fbcdn.net/v/t1.0-9/14359236_1311192535566654_7486697118374711833_n.jpg?oh=7837338f1d1fce54a5708305dca14065&oe=5930DB07} Qëllimi i kësaj faqeje është që ti bashkoj të gjith shqiptaret këtu "të lutemi se bashku" P.S Si gjdo gjë në ket botë as ne nuk jemi përfekt, për gjdo ankes & sugjerim ju lutem na shkruani Mesazh {facebook#http://facebook.com/perjezusin} {instagram#http://instagram.com/} {google#http://google.com/} {youtube#http://youtube.com/}

Forma e Kontaktit

Name

Email *

Message *

Powered by Blogger.