LUTJE THEMELORE TË KRISHTERËVE

Për Jezusin
Shenja e Kryqit

Në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt.
Amen.
Shenja e kryqit është shenjë e shëlbimit dhe e identitetit tonë të krishterë. Me këtë shenjë rrëfejmë besimin tonë në misterin e Hyjit, në Trininë e shenjtë. Shenja e kryqit është besojma jonë e parë.

Besojma

Besoj në Hyjin, Atin e gjithëpushtetshëm, Krijuesin e qiellit
e të tokës. E në Jezu Krishtin, birin e tij një të vetmin, Zotin
tonë, i cili u zu për virtyt të Shpirtit Shenjt. U lind prej
Virgjërës Mari, pësoi mundimet nën Poncin Pilat, u vu në
Kryq, vdiq e u varros, zbriti në ferr; të tretën ditë u ngjall
së vdekuri; u ngjit në qiell, rri në të djathtë të Hyjit, Atit të
gjithëpushtetshëm; andej do të vijë për të gjykuar të gjallët
e të vdekurit. Besoj në Shpirtin Shenjt, Kishën e shenjtë katolike,
shoqërinë e shenjtërve, faljen e mëkateve, ngjalljen e
korpit dhe jetën e pasosur. Amen.

Kjo është besojma apostolike për dallim nga ajo e Nicesë, e cila lutet rëndom në Meshë pas predikimit. Besojma na bën me dije se në Kishën katolike nuk mund të besojë kush çka do dhe çka i teket, por të gjithë besimtarët në këtë Kishë e kanë një themel. Këtë themel të fesë e rrëfejmë në veçanti në Meshën e së dielës, gjatë përshpirtërive të tjera kishtare dhe personalisht. Në Besojmë na shfaqet i tërë misteri i shëlbimit. Në këtë uratë miratojmë dhe pranojmë gjithçka që kemi trashëguar përmes Shpalljes dhe traditës së Kishës.

Ati ynë

Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt, ardhtë Mbretëria
jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell – ashtu në tokë! Bukën
tonë të përditshme na e jep sot; na i fal fajet tona, si i falim
ne fajtorët tanë. E mos na lër të biem në tundim, por na liro
nga i keqi. Amen.

Ati ynë është lutja që ua mësoi Jezusi dishepujve (Mt 6, 9–13 dhe Lk 11, 2–4), pra thirret edhe Lutja e Zotërisë. Mund ta thërrasim edhe lutje popullore. Në Meshë lutet para kungimit, duke u bërë lutje e përbashkët e popullit dhe e meshtarit. Besimtarët e parë të krishterimit, siç na thotë Shën Augustini, kësaj lutjeje ia përshkruanin forcën e faljes së mëkateve. Lutet rëndom edhe para bukës, pikërisht sepse kërkohet “buka” e cila simbolizon të gjitha të mirat që ia kërkojmë Hyjit. Përmes kësaj lutjeje kërkojmë vullnetin e Hyjit, të mirat tokësore, lirim nga pritat e djallit. Është njëherazi lutje që na fiton faljen e mëkateve dhe na pajton me njëri-tjetrin.

Të falemi, Mari

Të falemi Mari, hirplote, Zoti me ty! E bekuar je mbi të gjitha
gratë, dhe i bekuar fryti i barkut tënd, Jezusi. – Shenjtja Mari,
Nëna e Hyjit, lutu për ne mëkatarët, tash e në fill të vdekjes
sonë. Amen.

Lutja më e njohur që i drejtohet Virgjërës Mari, e cila në veçanti thuhet gjatë lutjes Engjëlli i Zotit dhe gjatë rruzares së Zojës. Kjo lutje përbëhet prej dy pjesëve. Pjesa e parë e kësaj lutjeje është përshëndetja që ia bëri engjëlli Marisë: “Të falem, o Hirplote! Zoti me ty” (Lk 1, 28) dhe brohoritja e Elizabetës: “Je më e bekuar se të gjitha gratë dhe i bekuar është fryti i kraharorit tënd” (Lk 1, 42). Pjesa e dytë e saj, në të cilën i nënshtrohemi kujdesit të Marisë dhe e quajmë me emrin më të lartë Nëna e Hyjit, qe shtuar në Mesjetën e vonë. Rregullisht në tërë Kishën katolike kjo lutje njihet si Ave Maria, e cila ka shumë kompozime.

Lavdi Atit

Lavdi Atit, e Birit e Shpirtit Shenjt! – Si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Me këtë lutje i japim lavdi madhërisë së Trinisë së tejetshenjtë. Rëndom me këtë formulë lutjeje përfundojmë psalmet, bekimet dhe lutjet. Thirret edhe Lavdithurja e vogël (doksologjia e vogël) për dallim nga Lavdithurja e madhe (doksologjia e madhe) e himnit engjëllor, përshëndetjes së Marisë nga engjëlli para se të lindte Jezusin.

Puna e pendimit

O Zoti im, po më vjen keq me gjithë zemër për të gjitha mëkatet
që i kam bërë. Se kam bjerrë parrizin dhe kam merituar
ferrin. Por më fort se të kam fyer Ty, o E mira e pambaruar, që
kaq fort më ke dashur. Mëshirë, o Zot! Më fal, o Zot! Po të jap
fjalën, me ndihmën tënde, që mos të fyej më kurrë. Amen.

Puna e pendimit është lutje e cila rëndom thuhet nga besimtari, i cili i nënshtrohet sakramentit të rrëfimit para se të ketë marrë zgjidhjen e mëkateve nga meshtari. Porositet si lutje pendimi çdo ditë, sidomos në mbrëmje para gjumit. Kjo është njëra prej formave të lutjes së pendimit.

Të falemi, Mbretëreshë

Të falemi Mbretëreshë, Nëna e mëshirës, jeta, ëmbëlsimi e
shpresa jonë, të falemi! Ty të thërrasim ne të shkretët, bijtë e
Evës, që po fshajmë, po gjëmojmë e po qajmë në këtë shekull
plot me lot. Deh pra, pajtorja jonë, ata sy të mëshirshëm të
tu silli prej nesh! E Jezusin, të bekuarin, frytin e barkut tënd,
pas kësaj shkretie na e kallëzo. O e dhimbshmja, o e buta, o
e ëmbla Virgjëra Mari! Amen.

Kjo lutje është e famshme në tërë Kishën si Salve Regina. Është njëra prej katër antifonave të Marisë dhe thjesht recitohet ose këndohet gjatë vitit kishtar në breviar pas mbrëmësores. Në veçanti është e dashur dhe e përhapur në popull në fund të lutjes së rruzares. Në këtë lutje e lëvdojmë Marinë dhe e kërkojmë ndihmën e saj që një ditë të bashkohemi me Jezusin.

Engjëlli i Zotit

Engjëlli i Zotit iu fal Zojës Mari.
– E ajo ngjizi për virtyt të Shpirtit Shenjt.
(Të falemi Mari…)
Ja shërbëtorja e Hyjit.
– U bëftë me mua si është fjala jote.
(Të falemi Mari…)
E Fjala u bë njeri.
– E banoi ndër ne.
(Të falemi Mari…)
Lutu për ne, o shenjtja Nënë e Hyjit!
– Të bëhemi të denjë për premtimet e Jezu Krishtit.
Të lutemi: Hirin tënd, po të lutemi, o Zot,
ndikoje në shpirtin tonë, që sikurse në lajmërimin e engjëllit
na e zbulove mishërimin e Birit tënd, Jezu Krishtit, nëpër
mundime e kryq të tij na udhëheq në lavdinë e ringjalljes.
Nëpër Krishtin Zotin tonë. Amen.
(Shtohet tri herë: “Lavdi Atit…” dhe për shpirtra të purgatorit
një “Ati ynë, Të falemi Mari” dhe “Jepua, o Zot, pushimin e
pasosur!”)
– Dhe i shndritë drita e pambaruar!
Pushofshin në paqe! Amen.

Engjëlli i Zotit, i njohur më gjerë si Angelus, lutet në mëngjes, në mesditë në orën dymbëdhjetë dhe në mbrëmje. Në këto kohë rëndom bie kambana si thirrje për këtë lutje, dhe kudo që besimtarët janë afër ndonjë kishe do të kenë më lehtë të bëhen me dije për lutjen e saj. Vetë papa e thotë këtë lutje çdo të diel në mesditë në orën dymbëdhjetë nga dritarja e banesës së tij. Përmbajtja e saj shtjellon të mishëruarit të Jezusit në kohë, e përgatitur përmes dialogut të lajmërimit në mes të engjëllit Gabriel dhe Marisë. Pas secilës prej tri fjalëve medituese thuhet një Shenjta Mari, ndërsa përfundon me lutje. Papa ia shton edhe tri: Lavdi Atit (Lavdithurjen e vogël), përkujton të vdekurit dhe pastaj jep bekimin. Në kohën e Pashkëve zëvendësohet me lutjen “Mbretëreshë e qiellit”.

Mbretëreshë e qiellit

Mbretëreshë e qiellit, gëzohu, Aleluja!
– Se ai që meritove për ta bartur, Aleluja!
U ngjall si pati thënë, Aleluja!
– Lute për ne Hyjin, Aleluja!
Gëzohu e galdo, Virgjëra Mari, Aleluja!
– Zoti u ngjall me të vërtetë, Aleluja!
Të lutemi: O Zot, që nëpër ngjalljen e Birit tënd Jezu Krishtit
u denjove ta ngushëllosh botën, bëj që nëpër Nënën e tij,
Virgjërën Mari, të fitojmë ngushëllimet e jetës së amshuar.
Nëpër Krishtin Zotin tonë. Amen.

Është njëra prej katër antifonave të Marisë dhe njihet si Regina Coeli. Këndohet në Liturgjinë e Orëve në kohën e Pashkëve pas mbrëmësores. Në kohën e Pashkëve e zëvendëson lutjen Engjëlli i Zotit deri në ditën e Rrëshajëve. Teksti i saj dhe melodia kanë zënë fill në shekullin XII. Teksti i kësaj lutjeje shpreh gëzimin dhe harenë për ringjalljen e Krishtit dhe Maria paraqitet si ndërmjetësja jonë.

Engjëlli i Zotit

Engjëlli i Zotit, që je rojtari im, pasi Hyji, për mëshirë të vet,
më ka lënë nën mbrojtjen tënde, ti sot më shndrit, më mbaj,
më ruaj e më sundo. Amen.

Kisha katolike na mëson se përpos forcave të këqija, ekzistojnë edhe forcat e mira; prandaj na i paraqet engjëjt si ndërmjetës dhe mbrojtës. Vetë fjala engjëll do të thotë: lajmëtar. Ata rrinë pranë Hyjit dhe i shërbejmë atij. Vetë Zoti u urdhëron që të na ruajnë (Ps 91, 11); prandaj forcat e këqija nuk mund të mbizotërojnë, sepse vetë Zoti përfundimisht është Zotëruesi i qiellit dhe i tokës (Zb 20, 7–14). Shkrimi i Shenjtë na flet për engjëjt dhe kryeengjëjt, kerubinët dhe serafinët, fronet dhe zotëruesit; të gjithë i shërbejnë Hyjit dhe i mbrojnë njerëzit.

Post a Comment

Post a Comment

Admin

{picture#https://scontent-vie1-1.xx.fbcdn.net/v/t1.0-9/14359236_1311192535566654_7486697118374711833_n.jpg?oh=7837338f1d1fce54a5708305dca14065&oe=5930DB07} Qëllimi i kësaj faqeje është që ti bashkoj të gjith shqiptaret këtu "të lutemi se bashku" P.S Si gjdo gjë në ket botë as ne nuk jemi përfekt, për gjdo ankes & sugjerim ju lutem na shkruani Mesazh {facebook#http://facebook.com/perjezusin} {instagram#http://instagram.com/} {google#http://google.com/} {youtube#http://youtube.com/}

Forma e Kontaktit

Name

Email *

Message *

Powered by Blogger.